Kallmeti Online
Shtator 10, 2010, 05:38:13 MD *
Miresevini, Vizitor. Ju lutemi identifikohuni ose regjistrohuni.

Identifikohuni me emrin, fjalekalimin dhe kohen e identifikimit
Njoftime: Mirsevini tek Forumi i Kallmetit Online !(Tani jemi ne nje server te ri!)....Behuni pjese e vendlindjes suaj Kallmetit.. Per cdo regjistrim te ri duhet te dergoni e-mail tek administratori Lek Gjoka ne lgjoka2002@yahoo.com me e-mail tuaj dhe fjalkalimin qe juve e ndryshoni sa te hyne per here te pare.Rregjistrimet nga antaret direkt jane te bllokuera.
Ju  faliminderit per bashkpunimin me Kallmetin Online!....
Stafi drejtues i websitit www.kallmeti.com www.lezhe.net
Gjithashtu mund te na vizitoni ne Facebook tek grupimi Kallmeti ne kete link   http://www.facebook.com/group.php?gid=53029729474&ref=ts)

Blog counters




Ju jeni vizitori(-ja) e 
 
   Takime Forum   Ndihme Kerko Calendari Identifkohuni Regjistrohuni  
Faqe: [1]
  Printo  
Autor Teme: Intervistë me Albana Mëlyshi ( Lifschin) - shkrimtaren që hedh ura lidhjeje  (Lexuar 131 here)
0 Anetare dhe 1 Vizitor po shikojne kete teme.
Kallmeti & Lek Gjoka
Administrator
Hero Member
*****
Gjinia: Mashkull
Postime: 904

albkallmeti@msn.com lgjoka2002@yahoo.com
Shiko Profilin WWW Email
« Pergjigju #1 : Prill 09, 2010, 09:20:13 PD »

Ali Podrimja  :    Loja mes zjarrit e fjalëve
 per poezine e Albana Melyshi Lifschin ne librin me te ri "Ka gjithmone  diku"


     Poezinë e përcjell vetëm kur lëshon shtat mes zjarrit e fjalëve. Kemi të bëjmë me diçka që i afrohet filigranizmit deri në përsosje të tekstit kur hedh nga trupi fjalët e tepërta ose ndonjë figurë që mjegullon horizontin, pra kur krijuesi është i përqëndruar të artikulimi ekuivok. Të tmerrshme janë bredhjet e skribomanëve që humbin durimin dhe nuk dijnë ta gjejnë rrugën për tek e bukura.

Poetesha e njohur suedeze Linda Aberg thotë: ”Është vështirë të shkruash shkurt”. Poezia është diçka që lëviz dhe mban gjallë kujtesën. Krijuesi duhet të ketë kujdes në konceptin e asaj që e hedh si ide, mesazh, ndoshta dhe me evoluimin e vetë tekstit poetik.

Leximi i tekstit varet kryesisht nga qasja e recipientit: ç’dëshiron të potencojë nga mesazhet. Miku im Zija Çela mbështet se modernitetin e poezisë e mbajnë gjallë: eliptizmi dhe revolta ndaj shkarjeve shoqërore, njerëzore, nuk prajnë pra kërkimet që duhen parë ato si përpjekje për poezi të pastër dhe me vlera universale.

Përmbledhja e poezive “Ka gjithmonë diku” e Albana M.Lifschin ngërthen në vete sensibilitet të çuditshëm, të rrallë do të thoja. Kisha përpiluar edhe më parë ndonjë libër të krijueseve shqiptare, si dhe Antologjinë e poeteve ”Taket e larta ”, viti 2000, që më kishin mahnitur me artikulimin e mesazhet e tyre.  Albana ka diçka që të nxit ta ndjekësh udhëtimin e saj imagjinativ. Tek e lexon poezinë e saj bindesh se kjo zonjë e letrave shqipe vë në funksjon njerëzoren,  i rri anash vorbullës së asociacioneve trishtuese, ndërsa recipienti shpalos gjuhën e figurave, na shëtit deri të enigma ”në përkryerjen ritmike e kuptimore të tekstit poetik”, siç do të thoshte Ezra Pound.

Tek i bashkohemi udhëtimit të saj, në të vërtetë hulumtojmë vlerat kulminante në  librin e përmendur me titull domëthënës "Ka gjithmone diku", që nuk janë të pakta. Disi na kujtohet  John Ashbery dhe vargu i tij ”Thjesht të jetuarit nuk mjafton”. Trokasim në botën e sekreteve, të intensitetit të ndjenjës së dashurisë, megjithëse” ndjeshmëria, siç shkruan Elioti ndryshon nga një brez në tjetrin, duam apo s’duam ne…”

Temat e mëdha si vdekja e identiteti i rrezikuar pranohen shpesh si poezi dokument. I këtij mendimi është edhe kritiku e poeti polak  Leszek Szaruga.Tek kaloja kufirin vdekjeprurës mes Bllacës e Dardanisë nën ushtimën e plumbave të padukshëm kisha vërejtur imazhin e antikitetit: një nënë e re e tmerruar vraponte drejt turmës së pafundmë 1999, tërhiqte një fëmijë përdore ndërsa tjetrit  ia afronte gjirin, por fëmija fatkeqësisht  ishte i vdekur. Kuja e saj kishte ngritur në këmbë një botë të tërë të ekzodit. Më vonë e shkrova poezinë që ishte: dëshmi e hidhur e tragjedisë së ndodhur  në fund të shekullit XX.

 Albana M.Lifshin është ndër të paktat krijuese shqiptare që poezinë nuk e ngarkon me fjalë e me sekuenca trishtimi, u rri anash tërmeteve shpirtërore dhe mbështet se ” gjërat duhen thënë bukur e me dinjitet, qoftë edhe përmes një skice apo poezie erotike se jeta njerëzore është kompleks ndjenjash e fatesh; aty asgjë nuk është tabu as privilegj për njerën anë të duetit.”  Mund të elaborohen në  detaje edhe gjërat më intime të qenies njerëzore, se arti kërkon të pamundshmen.

 Madhështinë si krijuese dhe njeri, Albana arriti ta thotë përmes shumë poezive të saj vërtetë antologjike. Me këtë rast dua të kujtojmë vargjet brilante  te "Shkalla e poezisë”, por kjo nuk është e vetmja  në këtë përmbledhje. Po ashtu titulli i librit nxit të mendosh se ç’është ajo që gjithmonë gjendet diku. Mbetet kjo enigmë edhe për recipijentin.

Në pyetje është kujtesa, se drama njerëzore  u reprizua shpesh në Gadishullin Ilirik dhe atë e paguam shtrenjtë...Poeteshën e ndjek kjo frikë qoftë përmes njerëzve të saj, që i njeh apo të atyre që u bënë dhe atdheu. Nuk pranon të ngris dorë nga himnizimi i dashurisë, se dashuria është diçka hyjnore. Është e bindur se vetëm nuri i  saj mund ta shpëtoj njeriun nga apokalipsi. Përmbledhja e poezive të Albanës shënon triumfin e shpirtit  mbi zymtësinë që kishte  pushtuar hapësirën e gjallimit tonë.

 

 Ulpianë,  2010

  botuar ne gazeten ILIRIA, Nju Jork dt. 2 prill/2010
Identifikuar
Kallmeti & Lek Gjoka
Administrator
Hero Member
*****
Gjinia: Mashkull
Postime: 904

albkallmeti@msn.com lgjoka2002@yahoo.com
Shiko Profilin WWW Email
« : Prill 05, 2010, 09:44:48 MD »

Intervistë  me Albana Mëlyshi ( Lifschin) - shkrimtaren që hedh ura lidhjeje, në mes bashkëatdhetarëve dhe Amerikës

 

Biografia

 

Albana Mëlyshi(Lifschin), ka mbaruar Fakultetin e  Gazetarisë në vitin 1973, në Universitetin e Tiranës. U emërua fillimisht  si gazetare tek gazeta “Zëri i Rinisë” dhe në 1977 në Televizionin Shtetëror (TVSH). Punoi në televizion deri në vitin 1992, para largimit në Nju Jork. Në vitin 2001, mbaron studimet  në Universitetin prestigjoz të Nju Jorkut (NYU). Që nga viti 2002, Albana punon në një zyrë avokatie, që merret me problemet e migracionit, si dhe jep mësim në  Institutin Globe, Manhattan. Zonja Albana Lifschin, është ndër anëtaret e para të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanё, që në themelimin e saj. Është autore e 10 librave në prozë dhe poezi si dhe autorja e librit të parë  për historinë e SHBA-së, në gjuhën  shqipe me titull “Udhëtim në historinë e Amerikës” botuar në vitin 2003. Zonja  Mëlyshi-Lifschin,  ka shkruar librin dokumentar në anglisht dhe shqip  “Children of Kosova –stories of horror”(Fëmijët e Kosovës-histori tmerri) dedikuar ngjarjeve të vitit 1999, gjenocidit të popullsisë kosovare nga regjimi  Milosheviçit. Libri u vlerësua nga Bordi i Arsimit i Nju Jorkut, si tekst për shkollat. Albana ёshtё autore e 5 vëllimeve me tregime, me tematikë jetën e emigrantëve në emigracion. Libri i saj “Ura mbi oqean” ka  në fokus përpjekjet e emigrantëve për t’iu përshtatur jetës dhe kulturës amerikane. Libri i saj i fundit është “Magjia e një zëri”, përmbledhje me tregime.

Në maj të vitit 2008, Zonja Albana  Melyshi Lifschin, nderohet me titullin, “Gruaja e vitit” nga Organizata e Grave shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”.

 

 Vera Pelaj: Zonja Albana, keni punuar në RTSH, në kohën kur censura ishte e pashmangshme. Çka kujtoni më shumë kur ktheheni në retrospektivë?

 

 Albana Mëlyshi (Lifschin): Kohën, kur kam punuar në TVSH, e kujtoj me kënaqësi si kushdo që e dashuron profesionin e vet, por edhe si një periudhë tensioni edhe stresi të vazhdueshëm. Stresi ishte i lidhur jo vetëm me procesin e dorëzimit në kohë të programeve për transmetim, por më shumë me censurën dhe vetcensurën.Gjatë punimit të një emisioni televiziv, ne, krijuesit, i njihnim mirë kornizat brenda të cilave nuk mund të lëviznin as edhe një milimetër. Emocionet e redaktorit nuk gëzonin asnjë ndjenjë lirie. Nëse do të shtonim një paragraf në tekst për kënaqësinë tonë, ishim 100 për qind të sigurtë, që do të na e hiqnin gjatë kontrollit, para transmetimit. Censura kalonte deri në ekstrem. Një herë më thirri Drejtori i Përgjithshëm i RTSH për të më kërkuar llogari, se pse në një koncert fëmijësh në Durrës, kishim nxjerrë fëmijë “pa dhëmbë" “Sikur të jenë pleq!”-tha ai. Guxova t'i kujtoja që është mosha e ndërrimit të dhëmbëve. Një herë tjetër, po i njejti drejtor më thirri duke më tërhequr vërejtjen që regjisorja e redaksisë sonë nuk kishte nxjerrë në ekran mbesën e kryeministrit (Mehmet Shehut).

 

  "I ka mendtё  në vend kjo regjisorja juaj? Shkon në kopshtin e fëmijëve ku është mbesa e kryeministrit, e nuk  e nxjerr në ekran? Niseni menjëherë me shërbim të bëjë emision tjetër!”

 

  E vërteta ishte që mbesa e kryeministrit atë ditë nuk kishte vajtur fare në kopësht, e kur kishte parë në mbrëmje koncertin e shokëve të saj, kishte zënë të qante, se pse  ajo nuk qe në ekran bashkë me shoqet. Natyrisht, nipërit e mbesat janë të ëmbël për gjyshërit, por bubullima e gjyshit të saj shkundi televizionin. Për një kohë kam përgatitur e drejtuar në ekran emisionet për të rinj. Ndodhi që ndonëse isha e sëmurë dhe isha këshilluar nga mjekët për t’u shtruar në spital për operacion, nuk mundesha kurrsesi pa përgatitur së paku programe rezervë për tre javë rresht. Dhe kur programet e mia ishin në transmetim çdo të premte njera pas tjetrës, askush veç familjes dhe të afërmëve, nuk e dinte që  unë, redaktorja, që spektatorët  e shihnin të gjallë në ekran, luftonte në spital  në mes jetës dhe vdekjes.

 

  Vera Pelaj: Pavarësisht nga censura, ju kishit një vend pune të mirë. Pse e latë Shqipërinë dhe shkuat në Amerikë?

 

 Albana Mëlyshi (Lifschin): Nuk e lashë Shqipërinë, në 1992, kur bleva biletën për Nju Jork, e  nuk e kam lënë as sot në 2009, 17 vjet më pas.  Siç e theksuat dhe ju, unë kisha një punë  shumë të mirë në atdhe. Punoja për Televizionin e Tiranës, kisha gjithë familjen dhe rrethin shoqëror që më donte e respektonte atje. Madje, atë kohë sapo kisha mbaruar një cikël të rëndësishëm televiziv për periudhën e tranzicionit në Shqipëri. Atë vit, në 1992, unë e mora avionin për në Amerikë në rrethana  të jashtëzakonshme familjare dhe aspak me mendimin për të ndenjur përgjithnjë atje. U nisa për t’i qëndruar pranë gjyshit tim, Nikoll Mëlyshit, në ditët e tij të fundit. Ai po mbyllte sytë larg familjes, mungesën e të cilës e kishte vuajtur për 45 vjet rresht. Isha e vetmja “përfaqësuese” nga  Shqipëria. Ndoshta është vendi këtu të bëj një prezantim më të gjatë, që ju ta kuptoni  se ç’ishte për mua dhe familjen time ai udhëtim.Unë jam e mbesa e Pal Mëlyshit “Heroi i Popullit” dhe e Nikoll Mëlyshit (babai i Palit)  nacionalist dhe antikomunist i betuar. Im gjysh shkoi në luftë për të luftuar okupatorin, por duke vënë një kusht: “Dorën grusht, nuk e bëj dhe yllin e kuq në kapelë nuk e mbaj, sepse ato s’janë shenja shqiptare”. Vinte nga një familje  bajraktare e nderuar e Mirditës. Kur u kthye nga lufta për çlirimin  e vendit, u ndesh me një zhgënjim të paimagjinueshëm. E gjeti shtëpinë e tij (kullën) të djegur nga shokët partizanë,  si edhe të gjithë familjen të internuar. Sado e pabesueshme të tingellojë kjo, është plotësisht e vërtetë. Tek vështronte harkun e mermertë të derës, me emrin e të atit “Gjon Melyshi-bajraktar”, e asnjë këmbë njeriu, ai ndjeu tradhëtinë e madhe që i ishte bërë. Në këto rrethana, u  detyrua të arratisej, e ta linte atdheun e vet, për lirinë e të cilit luftoi, e ndoshta  do të kishte rënë dëshmor.

 

Nga ajo ditë duhej të kalonin 45 vjet rresht, me kujtimin e familjes së tij si relike të shtrenjtë në shpirt.. Asnjë komunikim nuk iu lejua me familjen nga qeveria e Tiranës, edhe pse ishte baba heroi. Por qe antikomunist dhe kishte shkruar libra kundër qeverisë së Tiranës, ku numëronte fakte të vrasjes e eliminimit pa gjyq të shumë kundërshtarëve  të saj nga krahinat e veriut, veçanërisht Mirditës, përfshirë këtu edhe 8 pjestarë nga familja e tij. Gjyshi kishte shtetësinë amerikane, por kokën e zemrën  e kishte në Shqipëri. Ka banuar në Nju Jork, dhe ka qenë anëtar i vjetër i  organizatës panshqiptare “Vatra”. Mjaft nga miqtë që e kanë njohur, janë ende gjallë. Pas 45 vjetësh, në 1989, i ndarë nga familja në atdhe, na dërgoi një telegram ku thuhej:

    “Mbusha 90 vjeç, a mund të vij të vdes në vendin tim? Baba.”   

 

 Familja i kërkoi leje Qeverisë, që ta pranonte babanë në atdhe. Mirëpo, përgjigja erdhi negative. Ai burrë i vjetër, kërkonte një copë varr në vendin ku kishte lindur, por edhe kjo iu mohua nga qeveria e Ramiz Alisë. Në fund të vitit, pa i marre leje askujt dhe  i vendosur për të parë familjen e tij pas 45 vjet ndarjeje, mbërrin në aeroportin e Tiranës, Qe tronditje e madhe emocionale për familjen,  ndërsa për Qeverinë duket qe tërmet, se na solli Sigurimin në shtëpi për t’i dhënë urdhër plakut 90 vjeçar, babait të heroit,  të kthehej menjëherë nga kishte ardhur, si person  “non grata”. Im gjysh u kthye në Nju Jork, i detyruar për herë të dytë të linte atdheun.

 

Atë kohë unë punoja për televizionin  shtetëror. Qe hera e parë që pashë  me sytë e mi fytyrën mizore të diktaturës.  Pas kësaj që ndodhi, im gjysh  u sëmur me kancer në pankreas. Ndërkohë, Shqipëria u hap me botën dhe u vendosën marrёdhënie diplomatike  me SHBA. Intervistova konsullën e parë amerikane në Tiranë, Barbara Cummings, lidhur me kriteret e dhënies së vizave, qytetarëve shqiptarë. Unë vetë isha  nga të parat që mora vizë dhe erdha në Amerikë. Erdha , siç thashë  më lart,  për t’i qëndruar pranё gjyshit tim, në ditët e fundit të jetës së tij. I detyrohesha, në emër të familjes. Mbi këtë ngjarje kam shkruar  tregimin “Shamia e zezë”, tregim i cili mori vlerësime maksimale nga kolegë dhe lexues. Shumë më sugjeruan ta shtrija në përmasat e një romani. Këtë tregim e kam përfshirë edhe në librin tim të fundit  “Magjia e një zëri”.

 

Vera Pelaj: Pas vdekjes së gjyshit tuaj, ju qëndruat në Amerikë. Si arritët të integroheni në shoqërinë amerikane?

 

Albana Mëlyshi (Lifschin) Kur mendova se mund  të qëndroja në Amerikë për një kohë të  gjatë, i thashë vetes që duhet  t’i kthehem edhe një herë shkollës. Intelektuali në dhe të huaj, ka nevojë të kompensojё jetën shpirtërore, pa atë ai vdes. Mora një diplomë për biznes, këtë e bëra duke menduar se do të më shërbente po qe se do  të kthehesha në Tiranë, (megjithëse e kam ditur se unë kurrë s’kisha për t’u bërë një biznesmene e mirë) dhe të dytën për Paralegal nga Universiteti i Nju Jorkut. Në Tiranë më pat mbetur merak që krahas gazetarisë nuk mbarova edhe fakultetin juridik. Kështu, aktualisht punoj në një zyrë avokatie që merret me problemet e emigracionit, të rregullimit të statusit të emigrantëve të rinj, pra në një fushë njerëzore, zgjedhja ime më e preferuar. Njohja me ta dhe me studentët e mi emigrantë, pasi edhe jap mësim në Institutin Globe, Manhattan, më ka frymëzuar në punën time krijuese.

 

Vera Pelaj:  Keni 17 vjet që jetoni në Nju Jork dhe përsëri vazhdoni të keni në fokus të krijimtarisë tuaj temën e emigrimit. Pse?

 

Albana Mëlyshi (Lifschin) Në Amerikë  përditë vazhdojnë të vijnë emigrantë të rinj. Të gjithë kalojnë në rrugën e vështirë të njohjes dhe përshtatjes me realitetin amerikan, ndërtojnë ëndrrat e përcaktojnë objektivat që duan të arrijnë për veten dhe fëmijët e tyre. Në këtë rrugë të gjatë e të vështirë, në mënyrë të ngadaltë, por të natyrshme, përqafojnë edhe  identitetin e tyre të ri, atë amerikan, e megjithatë dashuria e malli për vendlindjen mbetet i madh. Është një ndjenjë e thellë e paspjegueshme. Me trup në Amerikë e me mendje  e zemër në Shqipëri. Kështu ka ndodhur gjithnjë me gjeneratën e parë të emigrantëve. Ka një shprehje të trashëguar që  thotë se emigrantët e parë  "trupin e kanë në Amerikë dhe qafa u zgjatet mbi Atlantik". Eshtë një temë që nuk duket se ka të shteruar. Në të kundërtën ende lexohet me interes.

 

Vera Pelaj: Duket se libri më tipik i juaji në këtë drejtim, është ‘URA MBI OQEAN”. Menjëherë të shkon mendja se kjo është urë e hedhur midis Shqipërisë dhe Amerikës. Çfarë të veçante ka ky libër në krahasim me tre librat që keni botuar më parë dhe pёrse  ky libër u promovua  nga  Ministria e Jashtme e Shqipërisë?

 

Albana Mëlyshi (Lifschin) E veçanta është se që në konceptim unë i vura vetes qëllim që ky libër t’u përkushtohej  emigrantëve të rinj që vijnë në Amerikë. Është për ata që  bëjnë gati valixhet, por edhe për ata emigrantë që porsa kanë ardhur në këtë botë të madhe dhe e ndjejnë veten të humbur, po nuk u ndihmuan. Dikush  e quajti “guidë” për emigrantët, se nëpërmjet tregimeve të librit, veç të shijuarit estetik, ai gjen edhe një informacion të bollshëm, realist, për jetën amerikane, sheh rrugën nëpër të cilën do të kalojë dhe mëson si të orientohet në këtë botë të madhe. Nëse promovimin e tij e organizoi Instituti i Diasporës në Ministrinë e Jashtme, mendoj  se ka qënë pikërisht kjo arsyeja. Instituti i Diasporës e bëri si aktivitet të vetin.  Më ftuan në promovim bashkë me bashkëshortin tim. Z Flamur Gashi, Drejtor i Institutit të Diasporës,  i cili drejtoi këtë aktivitet e vlerësoi librin, si një shërbim të mirë për emigrantët shqiptarë të Amerikës.

 

 

 

Vera Pelaj: Në muajin maj, unë isha e pranishme në promovimin e vëllimit  tuaj me tregime “ Magjia e një zëri”. Promovimi ishte organizuar nga Universiteti UFO, Departamenti i Shkencave të Komunikimit, pra Dega e Gazetarisë, studente e të cilës keni qenë para disa dekadash. Është kënaqësi kur librat tuaj i promovojnë isntitucione të rëndësishme në atdhe?

 

Albana Mëlyshi (Lifschin): Është kënaqësi, por edhe nder e përgjegjësi sepse është vlerësim

 

Kur Prof. Boriçi, Shef i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, bashkë  me mesazhin  e urimit për Vitin e Ri 2009, më ftoi që ta promovonim librin tim në universitet, në Tiranë, u emocionova shumë... M’u kthyen kujtimet e viteve të shkuara, kur kam qenë studente e gazetarisë.

 

Vera Pelaj: Çfarё  ka të veçantë ky libër, krahasuar me të tjerët?

 

Albana Mëlyshi (Lifschin) :Dallon, së pari, do të thosha në tematikë. Në këtë libër kam synuar të hyj  thellë në jetën amerikane. Mjaft tregime janë të frymëzuara nga jeta e amerikanëve të lindur, jo e emigrantëve.

 

Vera Pelaj: Këtu mendoj se për njohjen  më të thellë të jetës amerikane dhe skalitjen e personazheve amerikane, u ka ndihmuar martesa me një amerikan

 

Albana Mëlyshi:  E vërtetë. Më ka hapur një dritare të madhe njohjeje, shumë e rëndësishme  për krijimtarinë time.

 

Vera Pelaj: Krijimtaria juaj është vlerësuar shumë nga profesionistë të fushës se letrave dhe shquheni si shkrimtare që bazohet në jetën reale. Mendon se sukesin tuaj në letërsi e keni arritur pikërisht për këtë?

 

Albana Mëlyshi (Lifschin)i: Realizmi është zemra e krijimtarisë sime. Pa të, nuk do të isha unë. Jam adhuruese e Heminguejt dhe Çehovit, dy nga prozatorët e mi më të preferuar. Materialin e gjallë ata e merrnin nga jeta, madje edhe nga vetë jeta e tyre. Kjo, mendoj,  i bëri tё pavdekshëm. Heminguej ka  thënë se për një shkrimtar është vitale të vёzhgojё  dhe të hedhë në letër vёzhgimet  e tij, saktësisht. Ai ndjente që materiali i shkrimtarit duhet të vijë nga pёrvoja personale, përndryshe nuk do të qe bindës. Duke e zbatuar këtë në praktikë, nobelisti gjithnjë merrte me vete një makinë shkrimi portable, kudo që shkonte. Çehovi,  nga ana tjetër, me tregimet e tij, krijoi mërira tek miqtë më të afërt. Nëse “njeh” jetën e rrethin e të njohurve të Çehovit, disa nga ata i gjen në tregimet e novelat e tij.

 

Vera Pelaj: Përpos disa librave të tjerë, keni shkruar edhe librin “Udhëtim në Historinë Amerikane”, botuar në 2003, madje e keni ribotuar.  Është libri i parë për historinë e Amerikës në gjuhën shqipe. Si  ju erdhi ideja për këtë libër?   

 

Albana Mëlyshi (Lifschin): Synimi im, fillimisht, nuk ishte që të shkruaja një libër të atyre përmasave. Kjo ide u zhvillua më vonë. Ato kohë unë isha shumë e dhënë pas studimit  të historisë së Amerikës, mund të thuash se kisha rёnё në dashuri me të. Kaloja orë të tëra në bibliotekë. Ne kemi menduar se dinim për historinë e Amerikës, por jo. Duke lexuar libra  të ndryshëm e të shumëllojshëm, gjeta mjaft gjëra interesante që nuk i kisha dëgjuar ndonjëherë. Nuk di pse, por kur lexoj apo mësoj një gjë të bukur , kam dëshirë ta ndaj edhe me të tjerët. Kështu  disa episode interesante, ia bëra të njohur publikut të diasporës nëpërmjet gazetës “Iliria”. Kolegët më sugjeruan, që këto episode t'i mblidhja në një libër të veçantë. Kisha filluar ta mendoja këtë, por në një këndvështrim më të gjerë. Vendosa t’i hyj punës serioze të shkrimit të një libri për historinë e Amerikës, por jo si tekst akademik, shkollor.. Doja të jepja një histori të gjallë, që të lexohej me kënaqësinë që të jep një rrëfim apo tregim. Doja të shkruaja një libër për të gjitha moshat dhe nivelet. Për ketë kam studiuar 62 libra, historike, shoqërore, biografike e letrare. U ndjeva shumë mirë kur Z Dritëro Agolli, në vizitën që i bëra këtë verë,së bashku me një mikun tim poet, mё tha: “librin tuaj e kam në bibliotekë dhe e marr e shoh si nje libër enciklopedik pasi ka shumë information”.

 

Vera Pelaj: Le të kthehemi në një moment historik, dhjetë vjet më parë, në  verën e vitit 1999, në bazën ushtarake të Fort Diksit, ku qeveria amerikane kishte strehuar rreth pesë  mijë refugjatë nga Kosova. Ju keni punuar aty, cila është përvoja juaj?

 

Albana Mëlyshi (Lifschin): Unë bëja punën e gazetares së radios dhe përkthyeses njëkohësisht. Merresha me përgatitjen dhe transmetimin e një programi të përditshëm, prej ore 6PM-deri në 9 PM për popullsinë kosovare, refugjate. Më kujtohet që atyre nuk u pëlqente ky emër (refugjat) dhe ne ishim porositur që të ishim të kujdesshëm në mënyrën se si u adresoheshim të lënduarve nga lufta. Ata mblidheshin në fushë pranë qendrës së zërit dhe dëgjonin lajmet, të cilat shpërndaheshin në tërë kampin nëpërmjet dy altoparlantëve të mëdhenj. Ishin të etur të dinin se ç’po ndodhte në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, e gjithë Ballkanin. Shumë njerёz nuk dinin se ku i kishin anëtarët e familjes. Më kujtohet si tani, kur po jepja lajmin që kisha ortodokse serbe kërkonte dorëheqjen e Millosheviçit, një thirrje e madhe gëzimi tundi dritaret e studios së transmetimit. Përveç emisionit të lajmeve që jepja, organizova edhe një program për të vegjëlit të cilët e mbushën me recitimet e tyre patriotike. U miqësova shumë me ta. Ata më rrëfyen historitë e përzënies nga shtëpitë e tyre nën bajonetat  serbe, ashtu siç dijnë të tregojnë fëmijët. Ishin ngjarje të dhimbshme. Më kujtohet historia e një vogëlusheje,  Ekzona Shaqirit, atëhere 9 vjeçe, e cila më tregonte se ndërsa ecnin për orë të tëra të lodhur e të uritur kishin parë copa buke të përgjakura në rrugë si edhe një vesh të prerë.  Vendosa që këto dëshmi fëminore, t'i përmblidhja në një libër dokumentar. Kështu lindi libri” Fëmijët e Kosovës –histori tmerri-mbresa nga kampi i refugjatëve të Fort Diksit (Children of Kosova –stories of Horror- a vieë from Fort Dix-refugee camp) Për mua ishte e rëndësishme që tragjedinë e Kosovës, t'ia jepja opinionit amerikan, ashtu thjesht të parë nga këndvështrimi i fëmijëve të Kosovës, paanshmërisht. Nëse keni parasysh, ato kohë televizionet zienin për luftën në Kosovë, e jo të gjithë e quanin luftë të drejtë.

 

Vera Pelaj: Kur libri juaj "Children of Kosova…" u aprovua si tekst shkollor, nga Ministria e Arsimit e Nju Jorkut, qe padyshim sukses i madh për ju. Ishte hera e parë që kjo ndodh me një autore shqiptare apo jo?

 

Albana Mëlyshi (Lifschin)i: Qe një rastësi. Një mësues amerikan që kishte lexuar librin, i pat sugjeruar Polit, bashkëshortit tim, që t'i dërgonim një kopje Bordit të Arsimit të Nju Jorkut. Ai vetë, si mësues i shkollës së mesme, e gjeti interesant librin për lëndën e studimeve sociale dhe e kishte punuar në klasë. Ne ndoqëm këshillën e tij. Pas dy muajsh, na erdhi një shkresë e Bordit të Arsimit të Nju Jorkut, që thoshte se  libri qe aprovuar si 'text book" për klasat 6-12. Nuk më besohej. Libri e kishte tejkaluar parashikimin tim.

 

Vera Pelaj: Ky libër i është dhënë  vetë presidentit Bill Klinton me dedikim nga dora juaj. Si ndodhi?

 

 

 

Albana Mëlyshi (Lifschin) Në takimin e organizuar nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan (NAAC) për nder të Presidentit Klinton, për kontributin që ai dha për çlirimin e popullit të Kosovës, ky libër qe vendosur në çdo tavolinë  për çdo të ftuar në atë darkë. Natyrisht edhe në tavolinen ku qe ulur presidenti, përpara tij.  Një  nga shoqëruesit e tij, m’u afrua me librin në dorë duke më kërkuar të nënshkruaj  me dedikim për presidentin Klinton. Sinqerisht u emocionova kaq shumë, sa atë moment thashë se s'dija asnjë fjalë anglisht. Por mbaj mend që kam shkruar: "God Bless you, Mr. President!......”  Nga ajo darkë, kam kujtim një fotografi ulur në tavoline, në krah të  tij. Kur ke nderin të qëndrosh pak minuta pranë njerëzve të mëdhenj dhe e bisedon qoftë edhe për pak me ta, ndjen madhështinë e tyre...Kjo qëndron pikërisht në thjeshtësinë që kanë.

 

Vera Pelaj: Shkruani edhe poezi dhe e keni të ndjerë  me mesazhe të  ngrohta njerëzore, por nuk bëni zhurmë si poete, pavarësisht se keni marrë vlerësime edhe nga poetë të njohur shqiptarë. Në një bisedë  me poetin Ali Podrimja, ai më  tha se e vlerëson shumë poezinë tuaj. Si ndjeheni kur ju vlerëson aq lart një poet kombëtar siç është ai?

 

 Albana Mëlyshi (Lifschin): U ndjeva e nderuar, që  poeti  i madh Ali Podrimja, përshëndeti poezinë time. Vlerësova tek ai, veçanërisht, sugjerimin konkret që më bënte për të vazhduar me poezinë e shkurtër, e cila  i kishte pëlqyer më shumë se të tjerat në librin  “Dje preva floket”. Më shkruante se “e respekton një artikulim të tillë dhe e përkrah, sepse aty është edhe mënçuria krijuese si dhe bukuria e artikulimit”.

 

Vera Pelaj: A e keni vizituar ndonjëherë Kosovën?

 

Albana Mëlyshi (Lifschin): Kosovën e kam vizituar  në maj të vitit 2001. E kisha njohur  nga njerëzit e saj në Fort Diks, e kisha ëndërruar që 30 vjet të shkuara, në Tirane kur  punoja me redaksinë  e fëmijëve të televizionit. Atëherë transmetonim festivalet e fëmijëve të Kosovës, me sa me kujtohet quheshin “Akordet e Kosovës”. Ëndërrova të shkoja me një shërbim atje. Nuk pata fat. Kur u planifikova nga drejtoria e televizionit të Tiranës për në  Prishtinë,u gëzova shumë, por atë kohë ndodhën ”trazirat e studentëve”, siç u quajtën fillimisht nga media, dhe  shërbimi u anulua. E realizova ëndrrën time për të parë Kosovën, në maj  2001, gati  pas 20 vjetësh.

 

 

Vera Pelaj: Si u ndjetë?

Albana Mëlyshi (Lifschin): E tronditur… Ishte e pamundur të  mos më rridhnin lotët vetvetiu, në mënyrë të pakontrolluar. Dëgjoja të flitej shqip, shikoja rrugë si  të Tiranës, pallate banimi si  të saj, e njëjta aromë pemësh pranvere,  komunikoja në gjuhën e nënës, dhe kur mendoja që mjerisht  kjo dikur qe konsideruar e dalë “jashtë shtetit”. Është një realizim i rrënqethshëm, që je në tokën tënde, tek vëllezërit e tu, në një tokë të mohuar padrejtësisht që ta kishin bërë të huaj... Aty lindi poezia ime “Dhimbje dhe mall” ashtu siç erdhi. Edhe sot e kësaj dite nuk i kam ndryshuar asnjë rresht. Atë vit kam takuar Dr. Rugovën, ende i ruaj disa dhurata të vogla si gurë të çmuar  nga shtëpia e tij muze, ku ai na shoqëroi vetë pothuajse në çdo ambient. Atij i kam dhuruar personalisht, për herë të parë librin “Children of Kosova…”Po atë kohë jam takuar edhe me akademikun Mark Krasniqi, dhe gjithashtu i dhurova librin.  Pashë varrezat masive të viktimave të genocidit serb. Bëra shumë fotografi, kudo që shkova.

 

Vera Pelaj: Në pranverën e vitit 2008, jeni nderuar edhe me  titullin “Gruaja e vitit” nga Organizata  e gruas Shqiptaro -Amerikane  në Nju Jork “Motrat Qiriazi”. Çka do të thotë ky vlerësim për juve?

 

Albana Melyshi (Lifschin): Organizata  “Motrat Qiriazi”- është organizata  më e vjetër e gruas Shqiptaro -Amerikane në SHBA, me qendër  në Nju Jork, që drejtohet nga aktivistja e njohur dhe e respektuar këtej dhe përtej oqeanit, Dr. Anna Kohen. Është vlerësim i madh dhe jam mirënjohëse. Aq më tepër që këtë titull e përcaktuan në një ditë të shënuar, në festimin e  15 vjetorit të krijimit të organizatës. Qe një nder i bërë në një përvjetor të veçantë të kësaj organizate, gjë që s’harrohet.

 
Shenim:  Intervista eshte marre  nga permbledhja  "Kaleidoskopi i letërsisë shqiptare"
me autore gazetaren Vera Pelaj,  liber qe u promovua ne Tirane para pak ditesh
 (botuar me shkurtime tek Albania ne 4 prill 2010
Identifikuar
Faqe: [1]
  Printo  
 
Shko te:  

Mundeshuar nga MySQL Mundesuar nga PHP Powered by SMF 1.1.11 | SMF © 2006-2008, Simple Machines LLC XHTML 1.0! CSS!