|
Kallmeti & Lek Gjoka
|
 |
« Pergjigju #2 : Shkurt 26, 2009, 02:28:28 MD » |
|
Burani Për 4-5 persona duhen:
Spinaq 1kg, oriz 1 filxhan kafeje, vaj 4-5 lugë gjelle, qepë 1 kokërr, salce 1 lugë gjelle, kripë, piper, kopër
Spinaqi pastrohet, lahet dhe përvëlohet në ujë të vluar me kripë për 1-2 minuta. Orizi pastrohet, lahet dhe zihet derisa të jetë gjysëm i gatshëm, pastaj i hidhet spinaqi i përvëluar. Veç skuqet qepa derisa të marrë ngjyrë ari, shtohet salce domatesh, piper skuqet dhe pak dhe hidhet në spinaqin me oriz. Të gjitha së bashku ziejnë dhe 10 minuta derisa orizi të jetë gati. Në fund mund ti hidhet kopër ose nenexhik. Tavë Elbasani Për 4-5 persona duhen:
Mish 500 g. gjalpë 2 lugë gjelle, vezë 2 kokrra, kos 3 gota uji, miell 2 lugë gjelle, oriz 1 lugë gjelle,kripë.
Tava e Elbasanit përgatitet me mish qengji ose dashi. Po të jete me mish qengji ai piqet drejtëpërdrejtë ndërsa me mish dashi zihet më parë. Mishi pritet në thela, vendoset në tepsi, i hidhet përsipër gjalpë dhe futet në furrë ose në tavë me korent. Herë pas herë i hidhet nga pak ujë që të mos thahet. Pasi të piqet hiqet nga furra. Në tenxhere me gjalpë kaurdiset pak miell derisa të zverdhet, por jo të skuqet; shtohet lëngu i mishit të pjekur i holluar me ujë, përzihen dhe vlojnë derisa të krijohet një salcë e trashë. Hiqet nga zjarri, ftohet dhe pastaj i shtohen kos, vezë, kripë dhe përzihen mirë. Në tavë hidhet oris gjysmë i zier, radhiten thelat e mishit, sipër hidhet masa e përgatitur, pak gjalpë dhe piqet në furrë. Në qoftë se është mish dashi, ai më parë duhet të ziejë. 10-15 minuta para përfundimit të zierjes së mishit, hidhet pak oriz. Në tenxhere rrihen vezët, shtohet miell, kos, lëng mishi, gjalpë dhe kripë. Copat e mishit vendosen në tavë së bashku me orizin, mbi to hidhet masa e përgatitur dhe gjalpë i freskët. Piqet në furrë derisa në sipërfaqe të krijohet një cipë e kuqe. Dollma me lakër Për 4-5 persona duhen:
Lakër 1kg, mish i grirë 200 gram ose një filxhan çaji, qepë 2 kokrra, oriz 2 filxhanë kafeje, kripë, piper.
Lakra e bardhë pastrohet nga gjethet e dëmtuara dhe kocani, vendoset në tenxhere me ujë të vluar dhe kripë dhe zihet për 7-10 minuta derisa të zbutet pak. Pastaj i kullohet uji, i hapen gjethet dhe kërcinjtë e fortë. Në fillim të gjethes vendoset mbushja e cila mund të përdoret me perime të ndryshme si karrota, qepë, selino të përziera me oriz gjysëm të zier ose me kimë të përzier me oriz. Dollmat palosen në formë rruli duke i futur anët nga brenda. Në një tenxhere të cekët ato vendosen në 2 shtresa u shtohet pak ujë dhe lihen në zjarr të avashtë për 30 minuta. Mbushja përgatitet me mish të grirë të pakaurdisur, duke e përzier me qepë të grira hollë, oriz gjysëm të zier, kripë dhe piper. Çomlek me qepë Për 4-5 persona duhen:
Qepë 1 kg, vaj 2 filxhanë kafeje, salcë 1 luge gjelle, verë një filxhan kafeje, hudhër një kokërr, kripë, piper, 2 fletë dafine
Qepujkat (qepët sa një kokërr arre) qërohen dhe të paprera skuqen në tigan me yndyrë e hidhen në tenxhere. Në tigan hidhet një kokërr qepë e grirë hollë, kaurdiset pak, shtohet salcë dhe pasi kaurdisen së bashku shuhen me verë të kuqe ose të bardhë, shtohet kripë, piper, ujë dhe hudhra. Tenxherja mbulohet mirë dhe lihet në zjarr te javashëm për 20-30 minuta. Gjyveç me patate Për 4-5 persona duhen:
Mish 500 g. patate 1.5 kg. Vaj 4-5 lugë gjelle, qepë 1 kokërr, salcë domate 1 lugë gjelle jo e plotë, kripë, piper i zi, spec i kuq, majdanoz.
Mishi pritet në thela, skuqet me qepë, shtohet pak salcë domate ose domate të grira hollë, kripë, piper, dafinë, ujë sa të mbulohet mishi dhe lihet të ziejë në zjarr të ngadaltë. Ndërkaq përgatiten patatet të cilat pastrohen, lahen, priten në feta të rrumbullakëta me trashësi 1 cm dhe skuqen lehtë me yndyrë. Në tavë vendosen thelat e mishit, mbi to patatet, kripë, piper, pak spec i kuq dhe në fund lëngu i mishit. Tava lihet në furrë për gjysmë ore. Pasi hiqet gjyveçi, vihet në pjatë dhe spërkatet me lëngun e vet e majdanoz të grirë hollë. Qofte të fërguara Për 4-5 persona duhen:
Mish 1 filxhan çaji, qepë 2 kokrra, bukë 75 g. (2 feta), vezë 1 kokërr, kripë, piper, majdanoz, miell 2 lugë gjelle, vaj 4-5 lugë, perime sipas dëshirës.
Qoftet përgatiten zakonisht me mish lope; në këtë rast ato dalin më të buta dhe më të shijshme. Mishi pritet në copa të vogla dhe grihet në makinë së bashku me qepën dhe hudhrat. Në masën e mishit hidhet vezë, kripë, piper i zi, majdanoz dhe bukë bajate e zbutur me qumësht ose ujë (bukë merret te 25% nga pesha e mishit). Masa përzihet mirë dhe ndahet në qofte; çdo qofteje i jepet forma e rrumbullakët ose ovale, pastaj kalohen në miell dhe skuqen në tigan me yndyrë nga të dyja anët. Duhet pasur parasysh se qofteve gjatë fërgimit nuk u duhet hedhur shumë yndyrë. Shoqërohen me patate të skuqura, pure patate, perime të tjera të ziera ose të skuqura, pilaf, makarona etj. Kukureci Për 4-5 persona duhen:
Zorrë 1 palë, të brendshme 300 g. kripë, piper, spec i kuq, rigon, yndyrë 2-3 lugë gjelle.
Zorrët e qengjit pastrohen mirë dhe lahen duke i kthyer nga të dyja anët. Merren mëlçitë, gjëndrat, dhjamërat, gabzerret, mushkëritë dhe priten në copa kubike mesatare. U hidhet kripë, piper i zi, rigon të cilat përzihen, pastaj shkohen me radhë në hell një copë mushkri, një copë gjendër, një copë mushkri e kështu me radhë. Si të jenë shkuar të gjitha të brendshmet në hell pleksen me zorrët sipër duke i mbuluar këto. Kukureci bëhet më i shijshëm kur piqet në hell, mbi prush ose në furrë me zjarr të ngadaltë në mënyrë që të mos përvëlohet. Si të jetë skuqur nga të gjitha anët, hiqet nga helli, vendoset në pjatë dhe i hidhet piper i zi i bluar. Gjatë pjekjes në furrë spërkaten me lëngun e vet duke i hedhur edhe pak yndyrë. Pulë me arra Për 4-5 persona duhen:
Pulë 500-600 g. gjalpë 50g. arra 2 filxhane kafeje, hudhra 1 kokërr, uthull 2 lugë gjelle, miell 1 lugë gjelle, kripë, piper.
Pula e pastruar dhe e larë pritet në thela, vendoset në tenxhere, hidhet ujë i vluar aq sa të mbulohen thelat, shtohet pak kripë,piper i zi dhe zihet në zjarr të ngadalshëm derisa të bëhet gati. Në një tenxhere me gjalpë kaurdiset mielli, shtohet lëngu i pulës duke e përzier mirë që të mos krijohen kokrra dhe lihet të ziejë për 2-3 minuta derisa lëngu të trashet. Pastaj hiqet nga zjarri dhe përzihet me arra të shtypura. Salca rregullohet me hudhra të shtypura, uthull, kripë, piper të zi e thelpinj arre dhe mbahet në vend të ngrohtë, por pa marrë valë. Gjatë servirjes në pjatë vendoset pula e cila mbulohet me salcën e përgatitur. Kjo lloj pule zakonisht jepet pa garniturë. Ëmbëlsira Kabuni me rrush të thatë Për 4-5 persona duhen:
Oriz 1 gotë uji, lëng mishi 2 gota uji, rrush i thatë 1 filxhan kafeje, sheqer 1 filxhan caji, gjalp 3-4 lugë gjelle.
Orizi pastrohet, lahet dhe kaurdiset me gjalpë, pastaj shtohet lëng mishi (mundësisht dashi) ose ujë, rrush i thatë (shpëlahet më parë me ujë të vakët), pak kripë dhe vihet të ziejë. Kur është thithur pothuajse i gjithë lëngu dhe në sipërfaqe janë krijuar vrima, hiqet nga zjarri, përzihet me sheqer, kanellë e karafil të bluar. E mbulojmë me kapak dhe e leme ne nje vend te ngrohte. Masa hidhet në forma ose filxhanë dhe pastaj përmbyset. Për kabuni masa e orizit dhe e lëngut merret si për pilaf të zakonshëm: 1 kg oriz me 2 litra ujë. Sheqerpare
Për 25 copë duhen:
Për brumin: Miell 3 gota uji, gjalpë 1 gote, vezë 1 kokërr ose 2 të verdha, sodë një majë luge kafeje, pak vanilje, sheqer 1 gotë uji.
Për shërbetin duhen: 2 gota sheqer, një gotë e gjysmë ujë.
Rrihet gjalpi me sheqer, shtohen vezët pjesë-pjesë duke i rrahur vazdimisht dhe në fund hidhet mielli i perzier me sodë. Zihet brumi i cili pritet ne forma dhe shtrohen në tavë të lyer me yndyrë. Lihet të piqet për 20-25 minuta, hiqet nga furra dhe kur të vlohet i hidhet shërbet i aromatizuar me vanilje. Duhet pasur kujdes që shërbeti të mos i hidhet i nxehtë pasi sheqerparet qullosen. Shëndetlie
Për 25 copë duhen:
Miell 3 gota uji , sheqer 1 gotë uji, mjaltë 2-3 lugë gjelle, vezë 2 kokrra, sodë një majë luge kafeje, arra 1-2 filxhanë kafeje, gjalpë 2 filxhanë kafeje, pak vanilje dhe ujë 2 filxhana kafeje.
Për shërbetin: Sheqer 3 gota uji, ujë 2 gota e gjysëm.
Në një enë përzihen mirë vezët sheqeri, mjalti, gjalpi dhe në fund shtohen arra. Pastaj hidhet miell i përzier me sodë. Zihet brumi i cili nuk duhet të punohet shumë që të mos bëhet elastik. Brumi i përgatitur vendoset në tavë të lyer me yndyrë, rrafshohet me dorë, lyhet sipërfaqja me vezë, bëhen disa vija me pirun në formë rombi dhe hidhet shërbet i vakur i aromatizuar me vanilje. Tullumba
Për 25 copë duhen:
Për brumin: Miell 1 gotë, vaj ose gjalpë 2-3 lugë gjelle, vezë 3-4 kokrra, pak kripë e sheqer, ujë treçerek gote.
Për shurupin: Sheqer 2 gota, ujë 2 gota, vaj për skuqje.
Brumi për tullumba përgatitet duke zier në uje miell së bashku me gjalpë ose yndyrë tjetër dhe pas zierjes ky brumë përzihet me sasi të madhe vezësh, Për ti dhënë formën tullumbave përdoret një vegël e dhëmbëzuar. Forma mbushet me brumë dhe vihen të piqen nga të dyja anët në zjarr të nxehtë. Pas skuqjes hiqen nga zjarri dhe hidhen në shërbet të ftohtë ku mbahen 1-2 ninuta. Pastaj hiqen dhe rreshtohen në pjatë.
|