|
Edmondi
|
 |
« : Shtator 17, 2009, 02:18:24 MD » |
|
Elvira Dones: Unë si Neruda, rrëfej se kam jetuar
ASTIT-Unë si Neruda, rrëfej se kam jetuar". Me këto fjalë, të huazuara nga titulli i librit autobiografik të poetit të madh amerikano-latin, e nis Elvira Dones paraqitjen e saj përballë publikut të shumtë e të përzgjedhur italian dhe shqiptar, që mbushi të hënën, më 14 shtator sallën kryesore të Bibliotekës së qytetit të Astit në Itali. "Edhe unë, si protagonisti i shquar i këtij libri, - thotë Dones, - kam jetuar në mënyrë shumë intensive. Kam bërë edhe gabime, më shumë se një herë edhe jam rrëzuar, por përherë jam ringritur". Kjo, natyrisht edhe falë pasionit të thellë për letërsinë. "Letërsia është për mua si një besim fetar, ajo është vetë feja ime", shprehet shkrimtarja, autore e shumë romaneve, përmbledhjeve me tregime dhe dokumentarëve të realizuar në gjuhë të ndryshme, në Shqipëri, Itali, Zvicër e SHBA. "Nëse shkrimtarja Sibilla Aleramo shkruan 'Dua, pra jam', unë për veten mund të pohoj pa frikë se 'Shkruaj, pra jam", - shprehet autorja shqiptare, krijimtaria e së cilës është vlerësuar me çmime prestigjioze ndërkombëtare, si Grinzane Cavour-i i vitit 2008. Shkrimtare, patjetër, por njëkohësisht edhe grua, bashkëshorte e nënë, Dones flet gjatë edhe për vështirësitë, gëzimet dhe dhimbjet e lëvrimit të letërsisë për një grua të përkushtuar edhe ndaj familjes. "Për të shkruar letërsi, diçka e cila i përket unit tim më të thellë, kam nevojë për një hapësirë timen, të pacenuar nga asgjë tjetër, që shpesh më mungon", - thotë ajo. "Për një shkrimtare femër krijimtaria është më e vështirë, pasi ajo duhet të përkujdeset edhe për familjen. Në rastin tim, kohë nga krijimtaria letrare më rrëmben edhe veprimtaria si gazetare dhe dokumentariste". Por, pavarësisht vështirësive, Dones duket se preferon të punojë kështu, e impenjuar paralelisht në shumë "fronte". "Më tmerron ideja e të qënit vetëm shkrimtare", - thotë ajo. "Është e rrezikshme të tentosh të përshkruash botën pa lëvizur nga skrivania e studios tënde. Bota duhet parë, duhet prekur, duhet njohur. Për mua shkrimi i një libri është një moment i shenjtë, dhe gjatë atyre katër muajve që shkruaj bocën e parë, jetoj vetëm për këtë gjë. Por kur përfundoj së shkruari një libër, vijoj menjëherë me veprimtari të tjera. Puna si gazetare më apasionon. Ajo që më intereson më shumë si autore dokumentarësh, janë të emargjinuarit. Ata më japin shumë, pasi kur përfundoj një dokumentar kam grumbulluar edhe mjaft material për një libër të ardhshëm". Nga ideja e një dokumentari ka lindur edhe suksesi i saj i fundit, romani "Vergine Giurata", i botuar në Itali nga shtëpia botuese prestigjioze 'Feltrinelli'. Ky është edhe romani i parë që Dones ka shkruar direkt në gjuhën italiane. "E kam bërë këtë, - pohon autorja, - pasi jo rrallëherë kam hasur vështirësi në përkthimin e veprave të mia nga shqipja në italisht. Nganjëherë më është dashur madje t'i rishkruaj vetë, si në rastin e romanit "Ditë e Bardhë, e Fyer".
|